Komisioni Qendror i ZgjedhjeveKomisioni Qendror i Zgjedhjeve 1Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 2

Kreu

Mbledhjet Live

Kushtetuta

Kodi Zgjedhor

Rezultatet

Njoftime për shtyp

12

Fjala e Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri në seancën plenare të Kuvendit, lidhur me raportimin mbi veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2017.


I nderuar Kryetar i Kuvendit, 

Të nderuar deputetë,


Më lejoni të falenderoj, në emër të KQZ-së, për mundësinë që i jepni sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të raportuar përpara jush rreth veprimtarisë njëvjeçare të institucionit. 
Viti 2017 ka qenë një vit i rëndësishëm pune për KQZ-në, sepse ka qenë vit zgjedhor. 
Pavarësisht se Kuvendi nuk i parapriu zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 me reformë legjislative zgjedhore, detyrat për ne nuk ishin rutinë, ngarkesa nuk ishte e lehtë dhe as e vogël.
Zgjedhjet e vitit 2017 patën në themel marrëveshjen politike të 18 majit, e cila e shëndërroi KQZ-në në aktor të dorës së parë. 
Në një kohë të shkurtër, Komisionit i’u desh të ripunonte kuadrin rregullator të financimit të fushatës, të ribënte procedurat e regjistrimit të subjekteve, të kryente me sukses verifikimin e personalitetit për të gjithë kandidatët, të trajnonte dhe ritrajnonte ekipet e komisionerëve, si dhe të nxitonte për të përfunduar në kohë të gjitha përgatitjet.
Zgjedhjet, ashtu siç u zhvilluan, nga këndvështrimi ynë realizuan një numër arritjesh, të cilat do doja që t’i listoja shkurtimisht:
- Pas shumë kohësh, këto zgjedhje u menaxhuan me frymën e bashkëpunimit dhe larg kontroversitetit tipik politik. 
- Pas shumë kohësh, në këto zgjedhje thuajse mungoi kontestimi procesual. Procesi u zhvillua në rregullshmëri të plotë administrative, vendimmarrja e KQZ-së u njoh dhe pranua gjerësisht si e ligjshme dhe e drejtë, rezultati përfundimtar u respektua nga të gjitha palët, si i pakontestueshëm ligjërisht. 
- Pas zgjedhjeve u regjistruan 3 kërkesa ankimore. Të drejtën e ankimimit e shfrytëzuan Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Partia Socialiste, të cilat kontestuan tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë, si edhe Partia Demokratike, e cila kontestoi tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Berat. Në përfundim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi pranimin e kërkesave dhe ndryshimin e vendimeve të KQZ-së.
- KQZ mori vendimin për të kallzuar penalisht 76 shtetas me detyra anëtarë/numërues në 11 KZAZ. Kallëzimet u bënë për falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve  (neni 326 i Kodi Penal).
- Për herë të parë në këto zgjedhje u realizua monitorimi, gjatë fushatës, i financimit dhe shpenzimeve të partive politike, ndryshe nga më parë, kur bëhej vetëm auditimi i fondeve dhe shpenzimeve, pas përfundimit të fushatës. 
- Pas shumë kohësh, në këto zgjedhje nxjerrja e rezultatit u krye nga administrata zgjedhore brenda afatit ligjor, për rreth 90% të qendrave të votimit dhe shumë shpejt pas afatit për pjesën e mbetur. Nxjerrja e rezultatit në harkun e ditës së parë pas zgjedhjeve, e cilësuar deri dje si sfida e pamundur, nga sot formon standard të paneglizhueshëm për administratën zgjedhore.

Si Kryetar i KQZ-së jam krenar për këto arritje, pavarësisht se unë, kolegët e mi anëtarë të KQZ-së, pjesëmarrësit në proces, vëzhguesit dhe ndërkombëtarët kemi dhe kanë ende plot vërejtje, rezerva, sugjerime apo rekomandime për t’i bërë proceseve ligjore dhe administrative zgjedhore. 
KQZ-ja dhe unë personalisht kemi çmuar vlerësimet e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, si vlerësime korrekte, profesionale dhe nxitëse në punën tonë. 
Ne kemi pranuar menjëherë vërejtjet dhe rekomandimet që na janë dhënë dhe kemi deklaruar publikisht vullnetin për t’i zbatuar me përparësi ato. 
Ne jemi të kënaqur se OSBE/ODIHR-i e ka konfirmuar angazhimin tonë serioz në dobi të procesit.  Më tej, ne konstatojmë se ky progres po vihet re dhe po vlerësohet edhe nga organizma të tjera monitoruese. 
Jo më larg se dje, organizata Fridom Haus, në raportin e vet për indeksin e demokracisë, vlerësonte në përmirësim indeksin e demokracisë në Shqipëri, për shkak të notës së përmirësuar të vlërsimit për zgjedhjet. 
Për Fridom Haus zgjedhjet e fundit ishin më të mira “në sajë të një fushatë zgjedhore më të qetë, të shoqëruar me numërim më të mirë të votave dhe me rezultatin zgjedhor që nuk u kontestua zyrtarisht nga asnjeri prej pjesëmarrësve në zgjedhje”. 
Ky është një vlerësim që ne e ndajmë me kenaqesi me aktorët politik të procesit.

Një vit më parë, Kuvendi miratoi rezolutën për veprimtarinë e KQZ-së në vitin pararendës. Zbatimi i ligjit është detyrimi ynë permanent, por Rezoluta e Kuvendit është udhërrëfyesi ynë programatik. 
Nëpërmjet saj ne rrisim kualitetin e punës dhe të performancës, prandaj mendoj se ka shumë rëndësi që KQZ-ja të japë llogari përpara jush pikësëpari për zbatimin e rezolutës suaj të fundit.

1.Rekomandimi nr. 1 i Kuvendit, një vit më parë, kërkonte angazhim dhe përkushtim në menaxhimin e zgjedhjeve parlamentare. Unë kam kënaqësinë të raportoj, se ky rekomandim i Kuvendit u implementua nga KQZ-ja me rezultate të dukshme dhe me arritje evidente. 
Më lejoni të citoj shkurtimisht Raportin e OSBE/ODHIR-it ku theksohet: “Pas marrëveshjes, KQZ-ja dhe administrata e saj u përballën me një sërë sfidash komplekse ligjore, institucionale dhe financiare, dhe iu desh të punonin nën kufizime të konsiderueshme kohore. Nevoja për të rimiratuar vendimet e marra para ndryshimit të datës së zgjedhjeve dhe për të miratuar rregulla të reja e rëndoi edhe më tej KQZ-në dhe administratën e saj. Pavarësisht këtyre sfidave, KQZ-ja i zbatoi detyrat kryesore të e saj.” 
Sfidat nuk ishin të lehta:
- Ishin ndryshimet e ligjit për partitë politike, të cilat kërkonin nga KQZ-ja të modifikonte, plotësonte në kohë rekord kuadrin rregullator dhe në bashkëpunim me subjektet zgjedhore, të realizonte monitorimin, auditimin dhe kontrollin e financave të partive politike në zgjedhje, si asnjë herë tjetër më parë.  
- Ishin detyrat që buronin nga zbatimi për herë të parë në zgjedhjet për Kuvendin 2017 i Ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; 
- Ishte konstituimi dhe funksionimi i KZAZ-ve pavarësisht nga vonesat në propozime për komisionerët, për shkak të konfliktit politik; 
- Ishte transparenca në nivel të ri e gjithë veprimtarisë sonë, veçanërisht ajo që vinte përmes përdorimit të teknologjive, sidomos për  dokumentacionin e kandidimit, informacionin zgjedhor, dhe raportimin e praktikave joligjore;
- Ishte numërimi dhe nxjerrja në kohë rekord të rezultatit zgjedhor;
- Ishte trajtimi profesional i ankimimeve zgjedhore.

2. Gjatë këtij viti KQZ dëshmoi angazhim maksimal për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, veçanërisht për verifikimin e kandidatëve për deputetë. 
Në këto zgjedhje KQZ kreu verifikimin për 2723 (dymijë e shtatëqind e njëzet e tre) kandidatët për deputet, duke përjashtuar nga kandidimi 57 kandidatë. 
3.Në zbatim të rekomandimit të Rezolutës së Kuvendit u zhvilluan dhe u vunë në përdorim të gjitha modulet kryesore të Sistemit të Integruar të Manaxhimit Elektronik të Informacionit Zgjedhor (IEMIS) për zgjedhjet për Kuvendin. 
Ky sistem, të cilin KQZ ka filluar ta ndërtojë prej vitit 2013 me ndihmën e donatorëve, kryesisht USAID po i nënshtrohet aktualisht një procesi teknik revizionimi dhe mirëmbajtjeje, me qëllim zhvillimin dhe përshtatjen e tij për zgjedhjet vendore, pasi administrimi dhe përpunimi i informacionit për to është proces më kompleks se për zgjedhjet e Kuvendin.

4.KQZ ka trajtuar me prioritet dhe vëmendje të posaçme gjithë problematikën e listës së zgjedhësve. Në zgjedhjet e vitit 2017 u evidentuan këto probleme:
- Ekzistenca e zgjedhësve të dyshuar si të dubluar (në listën përfundimtare ky numër u reduktua në 459 ose 0,01% e tyre);
- Ekzistenca e zgjedhësve pa kod vendbanimi (kryesisht, zgjedhësit pa kod vendbanimi janë ata që kanë emigruar jashtë shtetit). Megjithë përpjekjet e bëra nga njësitë e qeverisjes vendore, numri i zgjedhësve pa kod vendbanimi është ende i lartë (në listën përfundimtare të zgjedhësve pa këtë kod ishin 290.038 zgjedhës ose 8,40% e gjithë zgjedhësve);
- Mospërfshirja e një numri të konsiderueshëm zgjedhësish në listën e zgjedhësve të institucioneve të vuajtjes së dënimeve. Falë bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, vetëm një numër i vogël zgjedhësish në këto institucione u desh të votonin me vendim gjykate, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2015, ku për zgjedhësit me vendim gjykate, me vendim të KQZ-së u ngritën dy qendra votimi të posaçme, një ditë para ditës së zgjedhjeve. 

5. KQZ, është përpjekur për të përmbushur kërkesën e Kuvendit “Për fillimin e një vlerësimi të plotë nga KQZ për votimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në emigracion, hapat që duhen ndërmarrë dhe metodologjitë që duhen zbatuar për garantimin e së drejtës së tyre për të votuar”, si dhe për të njohur faktorin politik dhe publikun, më studime dhe programe informuese mbi përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, si edhe efektet financiare. 
Në këtë ndërmarrje KQZ është asistuar nga A-WEB (Shoqata Botërore e Organeve Zgjedhore), ku aderojnë 106 trupa zgjedhore, përfshirë edhe KQZ e Shqipërisë.  
Ekspertërt e saj, të cilët vizituan Shqipërinë në janar të vitit 2017, i kanë vënë ndërkohë në dispozicion KQZ-së studimin për fizibilitetin e zbatimit të teknologjisë së informacionit në zgjedhje dhe kostot përkatëse financiare.  
Gjithashtu, KQZ ka qënë pjesë e diskutimeve të tryezës “Votimi i shtetasve të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit”, organizuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Tiranë dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, dhe është i gatshëm për të ofruar ekspertizë për këtë çështje. 
Të nderuar deputetë,
Këto janë çështjet e raportimit për një vit pune, sikurse janë paraqitur dhe me shkrim nga ana e KQZ-së. Por raportimi nuk është qëllim në vetvete, sikurse nuk bëhet për të parë nga e shkuara. 
Raportimi është përpjekja jonë e përbashkët për të ndërtuar një të ardhme solide, të orientuar drejt suksesit dhe mbrojtjes së interesit publik. 
Prandaj ka rëndësi që shqetësimet që vijnë nga eksperienca e vitit 2017 të bëhen programi ynë për vitet në vazhdim. 
Ne kërkojmë nga Kuvendi që të na ndriçojë rrugën me rezolutën që do miratojë. 
Ne kemi besim se reforma zgjedhore që Kuvendi po përgatit do të jetë serioze, e gjithanshme dhe e plotë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë teknike, sikurse jemi shpresëplotë se konstatimet, shqetësimet dhe sugjerimet tona do kenë vëmendjen tuaj sovrane.
Të nderuar deputetë,
Këtë seancë dua ta shfrytëzoj edhe për raportimin e disa çështjeve prioritare, që me siguri do të jenë çështje kyçe për KQZ-në në vitet në vazhdim, por që nuk mund të zgjidhen me sukses nga ana jonë, pa vëmendjen dhe angazhimin tuaj:
1. Praktika ka treguar se ndikimi i partive politike tek komisionerët e niveleve të dyta dhe të treta ka shkaktuar probleme në çdo proces zgjedhor gjatë ditës së votimit dhe numërimit të votave. Propozimi i komisionerëve nga ana e partive politike në kapërcim të afateve ligjore, ka sjellë trajnim jo të duhur dhe në disa raste mungesë trajnimi për ta. Ndërrimi i tyre vetëm disa orë para fillimit të procesit të votimit, apo procesit të numërimit ka bërë që komisionierët e trajnuar të zëvëndësoheshin me komisionerë të patrajnuar. Kjo ka ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në administrimin e procesit. 
Ne mbase nuk e kemi mundësinë të ngremë një administratë zgjedhore PROFESIONISTE, por askush nuk duhet të na pengojë që të bëjmë një administratë zgjedhore TË AFTË PROFESIONALISHT. 
Rekomandimet e OSBE-ODIHR, por dhe administrimi i procesit zgjedhor nga KQZ, nxjerrin në pah domosdoshmërinë e rishikimit të legjislacionit që rregullon organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. 
Administrimi i zgjedhjeve kërkon reformë të thellë, nuk është më koha për retushime. 
Ka ardhur koha për ndryshime epokale. I takon këtij parlamenti të themelojë EPOKËN E ADMINISTRIMIT PROFESIONAL TË ZGJEDHJEVE dhe të largohet nga administrimi politik i tyre.

2.Nga shumë drejtime KQZ-së i është kërkuar ngritja e Qendrës së Trajnimeve, e cila do të krijojë një armatë komisionerësh të trajnuar dhe të çertifikuar nga KQZ. 
Qendra e Trajnimit, një projekt i cili është mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe nga Këshilli i Evropës, do të ofrojë trajnime të rregullta dhe do të certifikojë anëtarët potencialë të KZAZ-ve, KQV-ve dhe Grupeve të Numërimit, për të krijuar arradhën e administratorëve të certifikuar zgjedhorë (rekomandimi 9 i raportit të OSBE/ODIHR-it). 
Certifikimi e kualifikimi prej saj i komisionerëve duhet të bëhet kusht për emërimin në administratën zgjedhore. 
Ngritja e Qendrës së Trajnimit pranë KQZ-së, do t’i shërbejë edukimit më të mirë zgjedhor të publikut, të brezave të rinj, por edhe edukimit të dedikur të pakicave e të grupeve të margjinalizuara. Pakicat janë grupet më vulnerabël për sa i përket shit-blerjes së votës dhe mungesës së njohurive mbi të drejtat e tyre për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur përmes votës. Ndaj, Qendra e Trajnimeve do të ketë në kurrikulën e vet, ndër të tjera, cikle të posaçme trajnimi për votuesit rom, egjyptianë, si dhe për përfaqësuesit e pakicave kombëtare (rekomandimi 18). 
Ka ardhur koha që investimi publik për ngritjen e Qendrës së Trajnimeve pranë KQZ-së të shihet si INVESTIM PËR SHOQËRINË, për edukimin dhe kulturën politike të brezave, si investim për të ardhmen demokratike të vendit.
3.Nje tjetër çeshtje e rëndësishme është ajo e financimit. 
Financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore është një nga çështje prioritare që meriton vëmendje të veçantë gjatë reformës. Është çështje e cila ka ndikim të drejtëpërdrjetë në cilësinë e procesit zgjedhor dhe ka të bëjë me transparencën e aktivitetit të partive politike, të zgjedhurve, të qytetarëve. 
Amendimet ligjore të bëra nga Kuvendi në muajin maj sollën monitorimin për herë të parë të fushatës zgjedhore në kohë reale dhe reduktuan shpenzimet e partive politike në fushatën elektorale, të paktën në dukje. 
Raportet e monitorimit janë burim transparence për financimin e fushatës, por sërish ekspertët financiarë hasën në vështirësi, pasi partitë politike gjejnë gjithnjë mënyra për të mos bërë transparencë të plotë.
KQZ po bashkëpunon intensivisht me donatorët si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, Instituti Demokratik Amerikan (NDI) dhe Ambasada Britanike, si edhe ekspertë të fushës, për të identifikuar skemat dhe metodologjitë e shëndetshme të  raportimit financiar dhe për ofruar akses të plotë në informacionin për financat e fushatës, përpara dhe pas datës së zgjedhjeve (rekomandimi 16 i raportit të OSBE/ODIHR-it).
Zbatimi i ligjit është detyrim jo vetëm për KQZ-në, por edhe partitë politike. Ndaj sa më shumë partitë do të pranojnë transparencën dhe llogaridhënien publike si standarde të domosdoshme zgjedhore, aq më i madh do jetë kontrolli i shoqërisë mbi ligjshmërinë e fushatave, aq më i vogël do jetë abuzimi dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve, aq më e pastër do jetë konkurrenca politike, aq më të mira do jenë zgjedhjet. 
Ka ardhur koha që ky Kuvend dhe kjo reformë të themelojnë një epokë të re në sistemin politik të vendit, EPOKËN E TRANSPARENCËS FINANCIARE.
Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve harmonizimi i legjislacionit, transparenca e financimit të partive politike e fushatave zgjedhore, si edhe garantimi i pavarësisë, paanësisë dhe profesionalizmit të administratës zgjedhore, formojnë prioritete ligjore dhe organizative të dorës së parë. 
Por për t’u dalë zot të gjitha këtyre objektivave, KQZ-ja ka nevojë për mbështetje nga Kuvendi në procesin ligjbërës dhe nga Ekzekutivi në procesin e buxhetimit. 
Në vlerësimin tonë, të dyja këto mbështetje janë jetike për zbatimin me sukses të rekomandimeve dhe për ta ngritur punën në nivelin e standardeve që kërkon procesi politik i integrimit.
Integrimi është lëvizja jonë historike, është sfida jonë politike, është kriteri me të cilin ne masim suksesin ose dështimin e palëve politike. Në këndvështrimin e zgjedhjeve, kulturës elektorale dhe standardit zgjedhor, integrimi është forca lëvizëse e procesit, e zhvillimit, e reformave.
Ndaj më lejoni të shpreh besimin e plotë për mbështetjen e Kuvendit dhe të falenderoj solemnisht për ndihmën.
Ju faleminderit!
Actions: E-mail | Permalink |

Rendi ditës Maximize

Barazia Gjinore Maximize

 

Lista e Zgjedhësve Maximize

Galeria Maximize

Lidhje të tjera Maximize

Rrjete Sociale Maximize

VIZITORËT ONLINE Maximize