Komisioni Qendror i ZgjedhjeveKomisioni Qendror i Zgjedhjeve 1Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 2

Kreu

Mbledhjet Live

Kushtetuta

Kodi Zgjedhor

Rezultatet

Njoftime për shtyp

06

Fjala e Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri në konferencën “Për Reformën Zgjedhore: Përmirësimi i kuadrit ligjor dhe institucional për regullimin e financimit të partive politike dhe fushatës zgjedhore”, organizuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.

Të nderuar z. Çuçi dhe Bylykbashi, 
të respektuar z. Dekovi dhe  zj. Bylaite,
të dashur pjesëmarrës,

Së pari, përgëzimi dhe falenderimi në emër të KQZ-së për organizatorët dhe për këtë konference është një gjë që i kapërcen kufijtë e politesës e të mirënjohjes. Seria e konferencave për reformën e kuadrit ligjor për financimin e partive dhe të zgjedhjeve është aktualisht përçapja e vetme e qartë, e vendosur, e koordinuar, analitike dhe e përgjegjshme që po zhvillohet në kuadër të reformës së përgjithshme zgjedhore, është modeli më i saktë e më profesional i përqasjes, prandaj vlerësimet për të nuk janë kurrë të tepërta.

Reforma zgjedhore është kthyer aktualisht në rendin e ditës.  Sot kërkohet angazhim i gjithanshëm për të bërë mirë, për të dhënë kontribut, për të ndihmuar e për të ndikuar për përmirësimin e proceseve zgjedhore. 
Ndaj nëse duam që zëri ynë të dëgjohet dhe opinionet tona të kenë impakt, tani është koha të përfshihemi, të flasim, të debatojmë, të propozojmë e të kërkojmë. Është fat i madh për reformën, që aktorët ndërkombëtarë janë plotësisht prezent dhe të fokusuar për çështjen, sikurse është shenjë premtuese vëmendja e bashkëkryetarëve të Komisionit të posaçëm Parlamentar  të Reformës Zgjedhore ndaj kësaj konferencë. 
Zhvillimi i fushatave zgjedhore luksoze dhe mungesa e transparencës së financimit të partive politike, për një vend të vogël si Shqipëria është fenomen i papranueshëm, pasi ushqen korrupsionin zgjedhor dhe politik, cënon besimin e publikut tek zgjedhjet dhe demokracia, kriminalizon procesin, delegjitimon përfaqësimin dhe rrënon llogaridhënien politike. 
Korrupsioni në financim, prodhon veç zgjedhje të korruptuara. 
Korrupsioni në financim është rruga pa shpëtim, është shit-blerje e votës, është abuzim me resurset shtetërore, është rrënim i paritetit në garë, është dhunim i vullnetit të lirë të zgjedhësve, është kapje e pushtetit politik nga krimi dhe antishteti. Korrupsioni në financim nuk është delikt kavalierësh, por është armiku më i egër i zgjedhjeve.
Prandaj, lidershipi politik duhet ta deklarojë reformën e financimit dhe transparencën e fondeve e të shpenzimeve çështje prioritare. 
Transparenca është antidoti i korrupsionit zgjedhor. Prandaj nuk është gabim të thuash se cilësia e reformës së ardhshme zgjedhore, matësin e suksesit e ka tek transparenca financiare dhe e shpenzimeve të fushatës që do na japë. 
Sa më shumë partitë do pranojnë transparencën dhe llogaridhënien publike si standarde të domosdoshme zgjedhore, aq më i madh do jetë kontrolli i shoqërisë mbi ligjëshmërinë e fushatave, aq më i vogël do jetë abuzimi dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve, aq më e pastër do jetë konkurrenca politike, aq më të mira do jenë zgjedhjet.
Nga këndvështrimi i KQZ-së,  unë dua të ritheksoj: Detyra nuk është e papërballueshme. Mjafton të lexojmë me kujdes rekomandimet. Shtyllat bazë të rregullimit të ri ligjor janë hedhur nga raporti i ODIHR-it: 
Nevojitet kuadër i ri rregullator, i qartë dhe i harmonizuar, trasparencë paraprake e fondeve të fushatës nga ana e partive politike, bashkëpunim i plotë i partive me monitoruesit, metodologji moderne monitorimi dhe raportim në kohë i gjetjeve. Publiku duhet të ketë akses të plotë tek informacioni për financimin përpara dhe pas datës së zgjedhjeve.
Ndryshimet e fundit ligjore të bëra nga Kuvendi pak ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ia kanë shtuar kompetencat e KQZ-së përsa i përket rritjes së transparencës së financimit të partive politike. KQZ-ja ka treguar vullnet të plotë për ta përmbushur këtë detyrë me sukses. Por suksesi kërkon më shumë se sa vullnet pozitiv.
Duhet që kuadri ligjor të jetë i harmonizuar, koherent dhe i plotë. 
Duhen struktura mbikëqyrjeje, monitorimi dhe kontrolli kompetente, profesionale dhe rezultative.
Duhen metodologji pune të sakta, të përshtatshme dhe të kolauduara.
Duhet respekt i gjithanshëm ndaj ligjit, bindje, vetdisiplinë dhe vetrregullim nga ana e partive politike.  
Kjo konferencë është vetëm një nga aktivitetet e punës së vazhueshme dhe intensive që po bëhet për të arritur në gjetjen e mekanizmave të duhur për zbatimin rigoroz të Kodit Zgjedhor dhe ligjit për partitë politike. Unë jam i sigurtë se punimet e saj do të ndikojnë drejtpërdrejt në thellimin e njohurive, në shkëmbimin e ideve, në identifikimin e praktikave më të mira, do të jenë një hap i vendosur përpara në rrugën drejt reformës. 
Suksese punimeve të konferencës. 

Faleminderit!
Actions: E-mail | Permalink |

Rendi ditës Maximize

Barazia Gjinore Maximize

 

Lista e Zgjedhësve Maximize

Galeria Maximize

Lidhje të tjera Maximize

Rrjete Sociale Maximize

VIZITORËT ONLINE Maximize