Qershor


 
 

Tiranë, më 28.06.2009

ora 21:00

 

DEKLARATË PËR SHTYP

 

Më lejoni që para se të kaloj në të dhëna më të detajuara mbi ecurinë dhe përfundimin e fazës së parë të procesit zgjedhor, pikërisht atij të votimit, të shpreh kënaqësinë e veçantë të Komisionit për mbylljen me sukses të plotë të kësaj faze. KQZ e ka ndjekur me shumë kujdes procesin e votimit nëpërmjet të gjitha strukturave të saj në qendër dhe në bazë, duke mundësuar kështu një proces që pa asnjë hezitim mund ta cilësoj si procesin më të mirë të votimit, të zhvilluar në vend.

Do të dëshiroja që në radhë të parë të përgëzoja, por dhe të vlerësoja të gjithë votuesit shqiptarë, të cilët treguan vlera të vërteta qytetarie, manifestuan një nivel të lartë të shpirtit të tyre demokratik gjatë gjithë ditës së votimit. Ky shpirt demokratik duket qartë dhe në numrin e lartë të pjesëmarrjes në votime, sipas të dhënave që ne kemi deri në këtë moment. Po në këtë kontekst, dëshiroj të shpreh vlerësimin maksimal dhe ndaj të gjithë subjekteve që garuan në këto zgjedhje.

Qëndrimi i tyre gjatë gjithë ditës së votimit dhe përpjekja e tyre për të qendruar në lartësinë që e kërkonte momenti, na ndihmuan jo vetëm ne, por të gjithë qytetarët për të patur një proces krejtësisht të qetë votimi.

Procesi i votimit ka përfunduar në të gjitha qendrat e votimit në orën 19:00, kohë që përcaktohet qartë dhe në Kodin Zgjedhor. Nuk kemi patur asnjë njoftim për  ndonjë problem apo radhë të tejzgjatura në qendrat e votimit. E gjithë kjo konfirmon dhe njëherë ecurinë shumë të mbarë të procesit.

Por ne vazhdojmë të jemi të angazhuar maksimalisht, pasi për ne, procesi zgjedhor nuk ka përfunduar. Jemi para procesit të numërimit të votave dhe po ndjekim me shumë kujdes të gjithë ecurinë e transportit të bazës materiale zgjedhore nga çdo qendër votimi drejt 66 vendeve të numërimit. Sigurisht që kemi të të bëjmë më një fazë të dytë por po aq të rëndësishme të procesit zgjedhor.

Deri tani kemi konfirmimin absolut se sistemi i kamerave të numërimit të votave është në gadishmëri të plotë. Madje dhe sistemi i kamerave që sjell pamje në kohë reale nga të gjitha VNV-të në KQZ, sikundër e keni konstatuar edhe vetë gjatë gjithë ditës funksionon pa asnjë problem.

Por sigurisht edhe prania e të gjithë vëzhguesve, si atyre vendas ashtu dhe të huaj, ka qenë një kontribut shumë i madh në favor të transparencës së procesit. Shprehim bindjen se kontributi i tyre do të vazhdojë me po të njëjtin përkushtim dhe korrektësi dhe gjatë procesit të numërimit të votave. Ajo çka konstatojmë me kënaqësi është fakti se kemi një pjesëmarrje të lartë në votim, thuajse në të gjitha qarqet e vendit.       

KRYETARI

Arben RISTANI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

 


Tiranë, më 28.06.2009

ora 17:30

 

DEKLARATË PËR SHTYP

 

KQZ ka ndjekur me shumë kujdes procesin e votimit nëpërmjet të gjitha strukturave të saj në qendër dhe në bazë. Procesi zgjedhor deri në këtë moment që flasim ka ecur normalisht dhe pa probleme të qenësishme, pa cënuar kështu integritetin e tij. Votimi ka filluar normalisht, në orën 07:00 ashtu sikundër e parashikon Kodi Zgjedhor. Të vetmet probleme qe janë hasur në momentet e para të hapjes së qendrave te votimit, ka qenë rasti i mungesës së vulës në QV 4499, nën administrimin KZAZ-së 61, në qarkun e Vlorës.

Një tjetër problem teknik u konstatua nga mungesa e bojës në rreth 35 QV në Tiranë dhe në rrethe të ndryshme, problem ky, që u kapërcye menjëherë si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të Komisionit dhe strukturave të tij, duke çuar bojën për tamponët apo dhe duke bashkëpunuar me drejtuesit vendorë apo dhe  me drejtorët e shkollave ku ndodheshin këto qendra votimi.


Po kështu, disa qendra votimi siç ishin ato me nr.3119; 3120; 3121, në Komunën Portës të Fierit, në KZAZ 19, si rezultat të mosparaqitjes së komisionerëve socialistë nuk u hapën deri në orën 16:00. Po kështu edhe në KZAZ 26, në Gjirokastër, QV nr.4371 në Mezhgoran, të Komunës Qendër Tepelenë nuk është hapur deri në orën 16:00. Në KZAZ 5, Qarku Dibër, Bashkia Peshkopi komisionerët e QV nr.1127 nuk tërhoqën bazën materiale dhe rrjedhimisht votimi nuk filloi. Pra, në total deri në këtë çast, votimi nuk ka filluar në 6 Qendra Votimi në të gjithë territorin. 


Ndërkohë që pas hapjes dhe fillimit të votimit është konstatuar se në KZAZ 38,  Qarku Lezhë, Bashkia Rrëshen, në QV 0778 janë larguar komisionerët e majtë dhe votimi është ndërprerë. Edhe në KZAZ 41, qarku Shkodër, Bashkia Bushat, në QV 0342 përsëri komisionerët e majtë janë larguar duke bllokuar procesin. I njëjti fenomen ka ndodhur dhe në QV nr. 0778 në fashatin Xhuxhë, në KZAZ 38, në qarkun e Lezhës, në bashkinë Rrëshen.


Sigurisht që ka patur dhe një numër të kufizuar QV, ku për arsye të ndryshme votimi është pezulluar për pak momente për të rifilluar më pas, pa shkaktuar probleme të mëtejshme. Ka patur disa pretendime në lidhje me cilësinë e bojës timbruese, por që u provua që ishin krejtësisht të pabaza, për të mos thënë dhe dashkeqe. Ajo çka konstatojmë me kënaqësi është fakti se kemi një pjesëmarrje të lartë në votim, thuajse në të gjitha qarqet e vendit.

KRYETARI

Arben RISTANI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve


Tiranë, më 28.06.2009

 

DEKLARATË PËR SHTYP

 

Në mbledhjen e parë informuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike pranë Komisionit, u ngrit shqetësimi se komisionerët e propozuar nga Partia Socialiste janë duke përdorur procedura krejtësisht të kundërligjshme. Më konkretisht, ata janë duke përdorur llampa me ndriçim ultraviolet për të bërë të mundur, sipas tyre, verifikimin e dokumenteve të identifikimit të shtetasve. Ky fakt u pohua dhe nga vetë përfaqësuesi i Partisë Socialiste në mbledhjen e KQZ-së.

Gjithashtu, jemi në dijeni se në mjaft Qendra Votimi, sërish komisionerë të propozuar nga Partia Socialiste janë duke përdorur mikrokamera për të filmuar procedurat e votimit nga zgjedhës të ndryshëm. Informacionet që kanë ardhur pranë KQZ-së tregojnë se kjo procedurë, gjithashtu krejtësisht e paligjshme po krijon incidente të rënda për procesin zgjedhor dhe intimidon zgjedhësit. Deklarojmë se kjo procedurë cënon shumë rëndë parimin kushtetues të fshehtësisë së votës.

Të ndodhur në këto kushte, KQZ bën me dije për gjithë administratën zgjedhore, votuesit, por edhe publikun e gjerë se, përdorimi i këtyre mjeteve është i kundërligjshëm dhe në shkelje flagrante të procedurave të votimit që përcakton qartë Kodi Zgjedhor. U kërkojmë të gjithë komisionerëve që të zbatojnë vetëm procedurat e votimit që përcakton Kodi Zgjedhor dhe, nëse do të ketë komisionerë që nuk veprojnë sipas ligjit, të mbahen procesverbale dhe të depozitohen në KZAZ-të respektive dhe pranë KQZ-së.

I bëjmë thirrje subjektit politik që i ka pajisur komisionerët e vetë me këto mjete t’u kërkojë atyre urgjentisht të ndalojnë përdorimin e tyre.   

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të reagojë me ashpërsi kundër gjithë këtyre veprimeve totalisht të paligjshme dhe garanton se do të veprojë me ashpërsi, duke  kërkuar procedim penal për të gjithë ata që shkelin ligjin.

Gjithashtu, Komisioni i bën apel Partisë Socialiste dhe komisionerëve të saj në QV nr, 3119; 3120; 3121, në Komunën Portës të Fierit, të paraqiten menjëherë pranë këtyre qendrave të votimit dhe t’u krijojnë shtetasve që gëzojnë të drejtën e votës ta ushtrojnë atë pa asnjë pengesë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe njëherë ju bën apel të gjitha subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, të zbatojnë me rigorozitet vetëm ligjin dhe procedurat e parashikuara nga Kodi Zgjedhor.  

ZËDHËNËSI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

 


Tiranë, më 24.06.2009

 

DEKLARATË PËR SHTYP

Më lejoni të shpreh, edhe në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shqetësimin më të madh në lidhje me mosrespektimin e kuadrit ligjor dhe shkeljen e pakuptimtë të afateve ligjore për sjelljen e propozimeve të anëtarëve të KQV-ve pranë KZAZ-ve respektive, nga të gjitha subjektet politike. Kjo sjellje, krejtësisht në kundërshtim, jo vetëm me kuadrin ligjor, por dhe detyrimet që kanë vetë subjektet politike ndaj procesit, po cënon seriozisht ato standarde që kanë lidhje me këtë pjesë të procesit zgjedhor.

Më vjen keq të bëj me dije se dy trajnimet e parashikuara për anëtarët e komisioneve të Qendrave të Votimit në mbarë vendin dështuan, pasi subjektet politike nuk paraqitën të gjitha propozimet e tyre për anëtarët e komisioneve të niveleve të treta. Askush të mos harrojë se trajnimi është një pjesë shumë e rëndësishme e procesit. Janë këta komisionerë, të cilët do të menaxhojnë realisht procesin në ditën e votimit, në 4750 Qendrat e Votimit të mbarë vendit. Është krejtësisht e kuptushme se, nëse të gjithë këta komisionerë nuk do të njohin nivelet e nevojshme të kuadrit ligjor, zbatimi me rigorozitet i Kodit Zgjedhor do të lerë për të dëshiruar.

Nisur nga këto arsyetime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën apel të gjitha subjekteve politike të çojnë urgjentisht propozimet e tyre pranë çdo KZAZ-je, që këto komisione të vazhdojnë me emërimet e tyre dhe trajnuesit të kryejnë trajnimet e tyre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh edhe njëherë besimin se subjektet politike do të dinë të venë mbi gjithçka procesin zgjedhor dhe realizimin e tij me sukses të plotë. Për këtë arsye shpresoj dhe besoj se ky apel do të gjejë mirëkuptimin e palëve, dhe në orët në vazhdim, pranë çdo KZAZ-je, të përcillen urgjentisht të gjitha kandidaturat respektive.

KRYETARI

Arben RISTANI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve


Tiranë, më 19.06.2009


DEKLARATË PËR SHTYP

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e tij të thellë për shkeljen flagrante, permanente të Kodit Zgjedhor nga mjaft drejtues të pushtetit vendor, por edhe për papërgjegjshmërinë e tyre të paprecedent. Kjo papërgjegjshmëri e tyre, në vijimësi, po ve në rrezik serioz standardet e procesit zgjedhor.

Fakti që pjesa dërrmuese e tyre nuk solli në kohën e duhur, të parashikuar nga Kodi Zgjedhor, jo vetëm numrin e zgjedhësve për çdo qendër votimi, numërtimin dhe numrin e saktë të Qendrave të Votimit, por edhe të dhënat përfundimtare, e vuri KQZ-në në një pozicion tepër të vështirë. Këto mangësi rrezikuan seriozisht si përgatitjen e gjithë logjistikës zgjedhore në përgjithësi, ashtu edhe prodhimin e vetë fletës së votimit në veçanti.

Në këto rrethana, në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor, Komisioni kërkoi bashkëpunimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Pavarësisht apelit të vazhdueshëm që KQZ-ja u ka bërë drejtuesve vendorë, edhe pse ndaj tyre janë marrë masa administrative, situata në vend që të përmirësohet është bërë akoma më e pakuptimtë.

Pas përcaktimit të QV-ve, nga ana jonë dhe detyrimit të tyre për të ndjekur këto vendime, mjaft drejtues vendorë kanë bashkuar apo ndarë Qendra Votimi, duke rrezikuar krijimin e një kolapsi të vërtetë në ditën e votimit. Këto ndërhyrje aventureske provokojnë vështirësi të jashtëzakonshme në përgatitjen dhe shpërndarjen e bazës logjistike zgjedhore. Po në këtë kolaps, do të ndodhen dhe ata zgjedhës, të cilët nuk do mundin të gjejnë qendrën e tyre të votimit.

Nisur nga këto rrethana, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kërkon drejtuesve vendorë të heqin dorë nga çdo iniciativë individuale dhe të ndjekin me rigorozitet vendimet e KQZ, lidhur me këtë çështje. Çdo ndërmarrje përtej dispozitave ligjore rrezikon të krijojë jo vetëm vështirësi në ditën e zgjedhjeve, por do të përbënte dhe një precedent për cënimin e standardeve zgjedhore

 

ZËDHËNËSI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve