Prill


 
 


DEKLARATE PER SHTYP


Tiranë, më 01/04/2009

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e tij të thellë për sa i takon zbatimit të kuadrit ligjor nga disa forca politike, në lidhje me një nga fazat më të rëndësishme të procesit zgjedhor, atë të konstituimit të KZAZ-ve.

Këto subjekte politike kanë shkelur në vazhdimësi afatet kohore të përcaktuara qartë në Kodin Zgjedhor. Në fazën e parë, atë të depozitimit të kandidaturave për anëtarë dhe sekretarë të KZAZ-ve, në mënyrë flagrante u shkelën afatet kohore të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.

Sjellja e këtyre propozimeve jashtë çdo afati ligjor e vuri KQZ-në, përpos vështirësisë që i takon kohës fizike për emërimet, edhe para një fakti të kryer: në përbërjen listës emërore të komisionerëve socialistë nuk ishte zbatuar kërkesa e të paturit 30% të anëtarëve nga secila gjini.

Po kështu, në datën 1 prill, datë e përcaktuar me Vendim të KQZ-së për konstituimin e KZAZ-ve në rrethin e Tiranës, mungesa e komisionerëve të Partisë Socialiste nuk lejoi ngritjen e më shumë se tre KZAZ, nga 14 që duhet të ngriheshin.

Shkaqet e mësipërme detyruan KQZ-në të zhvillonte një mbledhje jashtë rendit të ditës për të shqyrtuar situatën. Duke marrë shkas nga ky ngërç i krijuar, i bëj apel të gjitha subjekteve politike që kanë impakt në këto procese të tregojnë angazhimin e duhur e të ngihen në lartësinë që i takon për të zbatuar me përpikmëri Kodin Zgjedhor dhe detyrimet ligjore që burojnë prej tij.

Më duhet të bëj me dije për opinionin e gjerë publik, por edhe faktorin ndërkombëtar që ndjek direkt ose indirekt procesin zgjedhor në Shqipëri se çdo angazhim i yni, sado serioz e konform ligjit të jetë, nuk do të mund të arrijë standartet e njohura e të pranuara ndërkombëtare pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të subjekteve politike.

Tashmë të gjithë e dinë se partitë politike janë faktorë dhe aktorë në zgjedhje. Vetëm marrja e përgjegjësive dhe zbatimi korrekt i kuadrit ligjor do të mundësojnë realisht arritjen e të gjitha standardeve.

Në emër të Komisionit me lejoni të shpreh besimin se kemi të bëjmë me një rast sporadik dhe se në të ardhmen, te subjektet politike, do të gjejmë partnerët realë për të përmbushur detyrimet tona ndaj Kodit Zgjedhor, Kushtetutës dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë.

 

 

Arben RISTANI

Kryetar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve