Mars


 
 



Takim i kryetarit të KQZ z. Arben RISTANI dhe zv.kryetares znj. Dëshira SUBASHI me përfaqësues të pushtetit vendor

 

Ministria e Brendshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bashkëorganizuan një takim me prefektët e qarqeve, kryetarët e bashkive dhe kryetarët e njësive bashkiake të Tiranës. Në takimin e organizuar nga MB, ishin të pranishëm kryetari i KQZ-së, z. Arben RISTANI dhe zëvendëskryetarja znj. Dëshira SUBASHI. Qëllimi i takimit lidhej ngushtë me ecurinë e përgatitjeve për procesin zgjedhor. Në këtë kontekst, si nga Zv.ministri i Brendshëm z. Ferdinand Poni ashtu dhe nga kryetari i KQZ-së, z. Arben RISTANI, iu kërkua përfaqësuesve vendorë të përmbushin detyrimet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe në Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Në veçanti, kërkesa ndaj drejtuesve vendore u përqendrua në përcaktimin sa më parë të ambienteve për KZAZ-të (Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor) dhe për qendrat e numërimit të votave. Gjithashtu, të dy titullartët kërkuan nga drejtuesit lokalë marrjen e të gjitha masave të mundshme, për krijimin e kushteve optimale në këto ambiente për mbarëvajtjen sa më normale e cilësore të procesit zgjedhor të 28 Qershorit.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Arben Ristani, ndër të tjera, në fjalën e tij theksoi se krijimi i kushteve sa më optimale i shërben jo vetëm arritjes së standardeve, por dhe për të rritur maksimalisht besueshmërinë mes palëve.

Z. RISTANI theksoi gjithashtu se fryma e bashkëpunimit mes drejtuesve vendore, të të gjitha niveleve, duhet të jetë në parametra maksimalë në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, si një moment kyç për ecurinë e procesit zgjedhor.

Kreu i KQZ u bëri thirrje përfaqësuesve vendore të përcaktojnë në një kohë sa më të shpejtë ambientet edhe vendet e numërimit të votave, si edhe koordinimin e punës për shpalljen e listave përfundimtare të zgjedhësve me vendvotimet përkatëse, një muaj para datës së zgjedhjeve. “Sjellja në afatet e parashikuara në ligj i këtyre të dhënave, na ndihmon shumë për të përfunduar me sukses dhe në kohën e duhur procesin e prodhimit të fleteve të votimit”, ka nënvizuar z. RISTANI.