Maj


 
 



Tiranë, më 29.05.2009


DEKLARATË PËR SHTYP

Më lejoni që në këtë ditë, të hapjes zyrtare së fushatës zgjedhore, në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, t’ju uroj të gjithë subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 28 qershorit për Kuvendin e Shqipërisë, një fushatë të mbarë.

Komisioni shpreh bindjen se gjatë gjithë kësaj periudhe, subjektet politike do të ruajnë parametrat maksimalë si në zbatimin e kuadrit ligjor, por edhe sa i takon zhvillimit të një fushate sa më të qetë e sa më civile. Një fushatë e cila duhet të shoqërohet nga një atmosferë festive, larg frymës së konfliktualiteteve apo artificave provokative.

Gjithë shtetasit shqiptarë, gjithë zgjedhësit shqiptarë, sikundër edhe vetë subjektet politike nga një raund zgjedhor në tjetrin kanë provuar se mund të ngrihen mbi mikrointeresat politike dhe të zhvillojnë fushata zgjedhore në klimë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.

Shqipëria hyn në këtë raund zgjedhor si një vend anëtar i Aleancës më të madhe ushtarako-politike të të gjithë kohërave, NATO-s, dhe, në këtë kontekst, zgjedhjet kanë një rëndësi të dyfishtë: së pari ato do të provojnë se Shqipëria e meritonte anëtarësimin dhe, së dyti, ato do të na shkëpusin njëherë e përgjithmonë nga vlerësimet e tipit “një hap para”, dhe pa dyshim do të marrin vlerësimin “konform standardeve të njohura dhe të pranuara ndërkombëtare”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh bindjen e tij se fryma e konsensusit politik që ka shoqëruar këtë periudhë kohore do të mbizotërojë në këtë muaj fushate, në ditën e zgjedhjeve, por dhe në ditët pas. Shprehim bindjen se palët garuese do të dinë të ruajnë qetësinë, etikën e komunikimit, debatit të bazuar në argumentin politik dhe jo në atë të gjuhës së ashpër e agresive.

Nga ana tjetër ne garantojmë se do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin tonë për të ruajtur të gjitha standardet dhe zbatimin me korrektësi maksimale të Kodit Zgjedhor. Ne emër dhe të kolegëve të mi, shpreh vullnetin tonë të pakontestueshëm për të zbatuar me rigorozitet të plotë kuadrin ligjor.

Fakti që në këtë detyrë jemi të propozuar nga forca të ndryshme politike, nuk ndikon aspak në veprimtarinë, gjykimin dhe vendimmarrjen tonë. Angazhimet tona institucionale kanë qenë gjatë gjithë kësaj kohe, janë dhe do të vazhdojnë të jenë në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor, me gjithë kuadrin ligjor që lidhet me procesin, duke përmbushur kështu dhe betimin e bërë, kur kemi pranuar funksionin e anëtarit të KQZ-së.

Në këtë kuadër gjej rastin të shpreh vlerësimin për nivelin e bashkëpunimit që institucioni ynë ka patur dhe vazhdon të ketë me OSBE-ODIHR e faktorë të tjerë ndërkombëtarë, por dhe me faktorin e brendshëm. Ky bashkëpunim, ka qenë dhe mbetet një mbështetje e madhe për institucionin tonë, e na bën të besojmë se jemi në rrugën e duhur.

Edhe njëherë me lejoni të shpreh besimin se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë zgjedhjet që do të shënojnë shkëputjen përfundimtare nga tranzicioni dhe do t’i çelin rrugën vendit drejt anëtarësimit të plotë, tashmë dhe në familjen e Bashkimit Europian.

Arben RISTANI
                                            Kryetar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

 

 

Tiranë, më 27.05.2009

DEKLARATË PËR SHTYP

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e tij të thellë për shkeljen flagrante të Kodit Zgjedhor nga mjaft drejtues të pushtetit vendor. Papërgjegjshmëria e shfaqur nga një pjesë dërrmuese e drejtuesve vendorë po ve në rrezik procesin zgjedhor.

Mospërmbushja e detyrimit ligjor të dorëzimit brenda afateve të listës përfundimtare të zgjedhësve, përcaktimit e Qendrave të Votimit, numërtimit dhe vendndodhjes së tyre shkakton vonesa të rrezikshme për përgatitjen e bazës logjistike apo dhe materialeve të tjera zgjedhore.

Këto detyrime të paplotësuara prej tyre  po mbajnë të bllokuar edhe prodhimin e fletëve të votimit. I shqetësuar nga ky moszbatim i vazhdueshëm i kuadrit ligjor, Komsioni Qendror i  Zgjedhjeve i bën apel të gjithë drejtuesve vendorë që brenda ditës së shtunë (datë 30.05.2009), të përmbushin menjëherë këto detyrime.

Në të kundërt, ata do të përballen jo vetëm me masa administrative (sikundër është ndëshkimi administrativ i 77 drejtuesve vendorë në mbarë vendin, me 50 mijë lekë të reja, pak kohë më parë), por do të shikohet me vëmendje, nëse këto veprime përbëjnë edhe abuzim me detyrën.

                                              Arben RISTANI
                                            Kryetar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

 

 

 

Nënshkrimi i memomarandumit të bashkëpunimitmidis Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe Qeverisë Shqiptare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka formalizuar sot memorandumin e bashkëpunimit me Qeverinë Shqiptare, pas miratimit të draftit respektiv, për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit 2009.

Ministri i Brendshëm Z. Bujar Nishani nënshkroi në emër të Këshillit të Ministrave, ndërsa në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve memorandumin e nënshkruan kryetari Z. Arben Ristani dhe Zv. kryetarja Znj. Dëshira Subashi.

Ministri i Brendshëm Z. Bujar Nishani u shpreh se qeveria do të bashkëpunojë ngushtësisht me KQZ për realizimin e infrastrukturës zgjedhore dhe të gjithë detyrimeve të përcaktuara në memorandumin e bashkëpunimit.

“Ministria e Brendshme me nënshkrimin e këtij memorandumi do të vazhdojë angazhimin e saj maksimal në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë institucionet kryesore, kryesisht me të gjitha njësitë vendore, komunat dhe bashkitë e vendit, për të pasur një proces me standardet e kërkuara jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga legjislacioni në fuqi”, nënvizoi z. Nishani.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Z. Arben Ristani, nga ana e tij, vlerësoi se ky memorandum formalizon bashkëpunimin që ka nisur prej muajsh dhe që do të vazhdojë deri në përfundim të procesit zgjedhor, e ndërkohë duke veçuar bashkëpunimin shumë të mirë me Ministrinë e Brendshme theksoi se krijimi i Regjistrit Kombëtar të Shtetasve nuk është thjesht një risi, por një revolucion i vërtetë që jo vetëm do të ndikojë për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, por edhe do t'u shërbejë qytetarëve në çdo moment.

Në bazë të këtij memorandumi bashkëpunimi qeveria do të mbështesë dhe do t'i garantojë KQZ-së:

1-Sigurimimin e ambjenteve të nevojshme për KZAZ-të dhe VNV-të, duke përfshirë kushte të përshtatshme për aplikimin e teknologjisë mbështetëse për numërimin e votave si dhe për sigurimin e linjave të komunikimit.

2-Sigurimin e ambienteve për Zyrat Rajonale Zgjedhore të KQZ-së.

3-Angazhimin e strukturave në varësi të Këshillit të Ministrave për transportin e bazës materiale zgjedhore, nga KQZ-ja në KZAZ-të, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe anasjelltas.

4-Ministria e Brendshme ngarkohet të mbikqyrë përmbushjen e angazhimeve të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe në këtë Memorandium, nga të gjitha institucionet në varësi të Këshillit Ministrave dhe nga organet e Qeverisjes Vendore.

5-Prefektët, mbështetur në Kodin Zgjedhor dhe në aktet e KQZ-së, bashkërendojnë realizimin e detyrave të parashikuara në të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore si dhe në këtë Memorandum në të gjithë territorin e juridiksionit administrativ përkatës.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazuar në këtë memorandum bashkëpunimi duhet t'i sigurojë Këshillit të Ministrave dhe të gjithë institucioneve në varësi të tij, në kohën e vevojshme, informacionin e duhur për të lejuar përmbushjen e angazhimeve, në funksion të administrimit të procesit zgjedhor, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

-Unë mendoj se ky bashkëpunim do t'i japë Shqipërisë zgjedhje të standarteve ndërkombëtare, të cilat janë të pritshme për të gjithë,- u shpreh Z. Ristani.

Në memorandumin e bashkëpunimit theksohet se qeveria shqiptare është seriozisht e angazhuar për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, demokratike, të ndershme dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare, si dhe vlerësohet rëndësia e madhe që kanë këto zgjedhje për të ardhmen e vendit dhe në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian.