Korrik


 
 



Tiranë, më 16.07.2009

 

DEKLARATË PËR SHTYP

 

Sot, më datë 16 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i ka dhënë fund shqyrtimit të të gjitha kërkesave ankimore që u paraqitën nga subjektet e ndryshme politike. Shqyrtimit të kërkesave ankimore i parapriu, në fakt, përmbyllja e tabelave të rezultateve, për të gjitha ZAZ-të e 12 qarqeve. Në këtë kontekst, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka hartuar tabelat përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve në të gjitha qarqet dhe mbetet në pritje të së drejtës së palëve për të paraqitur më tej pretendimet e tyre në Kolegjin Zgjedhor.

Ashtu sikundër e parashikon edhe Kodi Zgjedhor, Komisioni duhet të shqyrtojë brenda 10 ditëve nga momenti i paraqitjes së kërkesave ankimore pretendimet e palëve. Në fakt, u morrën në shqyrtim 15 kërkesa ankimore, të cilat u shqyrtuan në një kohë rekord, brenda 7 ditëve, ose thënë ndryshe mesatarisht 2 kërkesa ankimore në ditë.

Organizimi i mirë i punës, si nga ana e administratës ashtu dhe nga trupa drejtuese e KQZ-së, mundësoi shqyrtimin e të gjitha kërkesave ankimore jo vetëm në parametra kohorë tepër të kënaqshëm, por dhe në trajtimin e gjerë e të detajuar të tyre. Sigurisht që përmbyllja e këtij procesi në këtë kohë rekord, i dedikohet edhe përmirësimeve të ndjeshme që ka sjellë Kodi Zgjedhor, në këtë aspekt.

Përmbyllja e kësaj faze në KQZ u krijon mundësinë të gjitha palëve që brenda 5 ditëve të paraqesin pretendimet e tyre pranë Kolegjit Zgjedhor, i cili nga ana e vet, nga momenti i paraqitjes së kërkesave ankimore, ka në dispozicion 10 ditë për t’i shqyrtuar ato. Të gjithë, këta elementë krijojnë mundësinë kohore, që në fund të muajit korrik të bëhet i mundur certifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga ana e KQZ.

Ndërkohë, Komisioni jo vetëm ka nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve në të  12 qarqet, por përllogariti dhe bëri shpërndarjen e mandateve si brenda koalicioneve ashtu dhe numrin e mandateve të përftuara nga secili koalicion në 6 qarqe. Kështu, KQZ ka bërë shpërndarjen e mandateve në qarqet:  Kukës, Korçë, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë.

Në total, deri në këtë moment janë mandatuar numerikisht dhe nominalisht 53 deputetë ose rreth 40 % e  totalit përbërës të Kuvendit të Shqipërisë. Të gjitha këto të dhëna të detajuara ndodhen tashmë në rubrikat respektive në faqen tonë zyrtare në internet.

Ndërkohë, që rang vendi, në përfundim të procesit ankimor në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve, rezultati në total, për secilin koalicion është si më poshtë vijon:

Shifra

Aleanca e Ndryshimit

Aleanca Socialiste për Integrim

Bashkimi për Ndryshim

%

 46,92%

    5,52%

   45,45%

Mandate

      70

      4

      66

Tashmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbetet në pritje të shqyrtimit të kërkesave ankimore nga ana e Kolegjit Zgjedhor, pasi nga ky fakt kushtëzohet dhe certifikimi e shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme që u zhvilluan më 28 Qershor 2009.

ZËDHËNËSI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve