Gusht


 
 



Tiranë, më 01.08.2009

 

DEKLARATË PËR SHTYP

 

Në mbledhjen e sotme, të datës 1 gusht 2009, KQZ mori vendimin e fundit për këto zgjedhje, Vendimin nr. 602, i cili shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, që u mbajtën më 28 qershor.

Dëshiroj me këtë rast, si Kryetar i KQZ-së, të shpreh disa konsiderata për procesin në tërësi para opinionit publik dhe të ndaj me të disa të dhëna rreth këtij procesi.

Për organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë u angazhuan 45.300 persona, nga të cilët: 60 persona përbënin stafin e përhershëm të KQZ-së, 250 persona ishte stafi ndihmës i marrë në punë vetëm për këto zgjedhje, 528 ishin komisionerët e nivelit të dytë (KZAZ), 38.008  ishte numri i komisionerëve që administruan procesin në qendrat e votimit ose komisionet e nivelit të tretë (KQV), rreth 6.000  ishin numëruesit e emëruar për të përmbyllur procesin e numërimit, 250 ishin trajnuesit dhe 150 operatorët dhe specialistët e teknologjisë dhe informacionit.

Në këto zgjedhje u regjistruan 34 parti politike si subjekte zgjedhore, nga të cilat: 33 prej tyre u grupuan në 4 koalicione, një garoi e vemte dhe një kandidat, i propozuar nga zgjedhësit për qarkun e Tiranës, garoi si kandidat i pavarur.
Të gjithë subjektet zgjedhore paraqitën në listat e tyre shumemërore rreth 3.800 kandidatë.

Numri i vëzhguesve të huaj që vëzhguan këto zgjedhje ishte 600 vetë, ndërsa ai vëzhguesve vendorë 4.800 vetë.
Në këto zgjedhje morën pjesë 1.566.079 zgjedhës nga 3.084.946 që përmbante lista e zgjedhësve ose 50.77%. Shifër kjo më e larta e 4  zgjedhjeve të fundit.
Numri i votave të vlefshme që prodhuan rezultatin përfundimtar ishte 1.519.176 ose 97.3%.

Disa nga risitë e këtij  procesi zgjedhor

U ndryshua sistemi zgjedhor nga sistemi i përzier mazhoritar dhe proporcional në sistemin proporcional rajonal.
Për herë të parë u hartuan listat e zgjedhësve mbi bazën e regjistrit elektronik të shtetasve dhe askush nuk i kontestoi ato.
Për herë të parë zgjedhësit votuan me karta identiteti, përveç pasaportave për udhëtim jashtë shtetit.
Për herë të parë, u aplikua sistemi i numërimit dhe monitorimit me kamera i procesit të numërimit të votave. U mbikëqyrën me kamera, të lidhura në rrjet, të 66 VNV-të, nga Tropoja në Sarandë, dhe pamjet  u transmetuan direkt në KQZ.
Për herë të parë rezultatet u hodhën në bazën e të dhënave në çdo vend numërimi dhe u përcollën elektronikisht direkt në KQZ pas numërimit të çdo kutie votimi. Të gjitha këto të dhëna u bënë menjëherë publike, si para mediave ashtu dhe në faqen e internetit.
Për herë të parë mbledhjet e KQZ-së u transmetuan “on line” nëpërmjet faqes sonë të internetit, duke  bërë të mundur ndjekjen e tyre  nga çdo vend i botës.
Për herë të parë, për shkak të ligjit, u rrit ndjeshëm pjesëmarrja e grave në të gjitha komisionet zgjedhore. Një rritje të ndjeshme pati dhe numri i tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Si rezultat i kuadrit të ri ligjor u regjistruan 1165 kandidatë femra ose 30,23 %, nga të cilat, 23 janë tashmë deputete ose 16 % (nga 9 ose 6.3% në legjislaturën e kaluar).

Arritjet dhe sfidat e procesit

Përgatitëm në kohë dhe me konsensus të plotë, për të gjithë anëtarët e KQZ-së, bazën nënligjore për organizimin e zgjedhjeve.
Përgatitëm në kohë dhe me cilësi të gjithë bazën materiale për zhvillimin e zgjedhjeve.
Zhvilluam një fushatë edukuese dhe sensibilizuese cilësore në median e shkruar dhe elektronike, si dhe u realizua  shpërndarja e materialeve propagandistike të KQZ-së në të gjithë Shqipërinë.
Materiali trajnues u hartua, prodhua dhe u shpërnda tek të gjithë administratorët zgjedhorë.
U zhvillua një bashkëpunim i suksesshëm midis KQZ-së dhe KM, KKRT-së, Policisë së Shtetit, OSSH, ALBTELEKOM, Postës Shqiptare etj.
I sukseshëm dhe frytdhënës ishte edhe bashkëpunimi i KQZ-së, me të gjitha organizmat ndërkombëtarë që u morën me zgjedhjet.
Dita e votimit ishte nga pjesët më të mira të këtij procesi, i cili u zhvillua me qytetarinë dhe përgjegjësinë e duhur. Nga 4.751 QV-të, në të gjithë vendin, vetëm 5 prej tyre nuk arritën të hapeshin dhe vetëm në dy ose tre prej tyre procesi paraqiti probleme.
Transporti i kutive të votimit nga QV-të në VNV u krye pa asnjë problem dhe në kohën e duhur.
Procesi i numërimit të votave u arrit të mbahet në kontroll të vazhdueshëm nga KQZ-ja. Teknologjia mbështetëse arriti të regjistrojë procesin dhe të lehtësojë punën e vëzhguesve.
Vendimet e KQZ, që ishin disa qindra, u ankimuan shumë pak në periudhën para zgjedhore dhe vetëm dy prej tyre u cënuan nga Kolegji Zgjedhor.
Ndërsa, përsa i përket ankimeve pas zgjedhore, nga 7 vendime të KQZ-së, objekt ankimi në Kolegjin Zgjedhor, vetëm një prej tyre u ndryshua pjesërisht.
Përfundimi i procesit zgjedhor ndodhi brenda afatit ligjor dhe dukshëm shumë më shpejt se në të gjitha zgjedhjet e tjera.

Në vlerësimin tonë, ky proces nxori në pah kryesisht këto probleme:   

Bashkëpunimi me pushtetin vendor rezultoi jo frytdhënës. Kërkohet prej tyre një angazhim më i madh dhe përgjegjësi maksimale për realizimin e detyrimeve që u ngarkon Kodi Zgjedhor.
Subjektet zgjedhore propozuan me shumë vonesë anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe për rrjedhim trajnimi i tyre, në disa raste, ishte i mangët ose nuk u arrit të zhvillohej.
Kjo problematikë nuk po arrin të përmirësohet nga zgjedhjet në zgjedhje.
Disa vende të votimit dhe të numërimit të votave mund të ishin përzgjedhur më mirë dhe në kohën e duhur.
Procesi i numërimit të votave u vonua më tepër se sa parashikohej. Në këtë drejtim besojmë se ka vend për ndonjë ndryshim tjetër të mundshëm ligjor.

Qëllimi ynë kryesor në këto zgjedhje

Sigurisht KQZ dhe të gjithë administratorët e tjerë zgjedhorë ndjekin si qëllim realizimin me sukses të detyrave të ngarkuara me ligj, por në veçanti në këto zgjedhje, KQZ synoi të rriste në maksimum besimin e zgjedhësve, subjekteve zgjedhore, monitoruesve dhe çdo të interesuari, se zgjedhjet në vendin tonë janë të lira, të barabarta, të ndershme dhe të standarteve të larta.
Për të arritur qëllimin përcaktuam si objektiva mbështetës:

  1. Rritjen e transparencës;
  2. Punën e bazuar në profesionalizëm;
  3. Përfundimin e procesit në kohën e duhur.

Të tre këto objektiva, siç u argumentuan më sipër, ne i konsiderojmë të arritura, sepse faktet e tregojnë këtë dhe vëshguesit e kanë konfirmuar.

E ardhmja

Ky proces zgjedhor do t’i nënshtrohet një analize të mëtejshme të hollësishme për të nxjerrë mësimet e duhura dhe për të zhvilluar dhe administruar zgjedhjet, gjithnjë e më të mira në Shqipëri.
Paraprakisht jemi të mendimit se vend për përmirësime ka gjithnjë.
Administrata zgjedhore ka nevojë të trajnohet më shumë dhe më mirë. Materialet e trajnimit për administratorët zgjedhorë do të jenë më të mira, më të thjeshta dhe më lehtësisht të përdorshme. Informacioni për zgjedhësit dhe pjesëmarrësit e tjerë në proces do të jetë më i bollshëm, më cilësor dhe më i shtrirë në kohë, ndërsa teknologjia moderne më shumë e përqafuar dhe më profesionalisht e përdorur.
Në përgjithësi, KQZ do t’i përgjigjet sfidave që sjellin proceset zgjedhore të shoqërive moderne, pjesë e të cilave aspirojmë të jemi.

Falënderime

Gjej rastin që publikisht të falënderoj dhe të shpreh mirënjohje, për dhe jo vetëm:

  1. Zgjedhësit shqiptar për përgjegjshmërinë dhe kontributin e çmuar që dhanë duke marrë pjesë në votim;
  2. Subjektet zgjedhore për shkallën e lartë të përgjegjësisë;
  3. Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e gjithanshme dhe të pakursyer ndaj procesit zgjedhor;
  4. Komunitetin ndërkombëtar për ndihmën e çmuar që i dha procesit nëpërmjet Këshillit të Evropës, OSBE, USAID dhe Përfaqësive Diplomatike;
  5. Vëzhguesit e vendit dhe të huaj duke veçuar ODIHR për kontributin e pamasë që japin në transparencën e procesit dhe ndihmën për të nxjerrë në pah dhe vlerësuar drejt nivelin e tij;
  6. Median e shkruar dhe elektronike si dhe të gjithë gazetarët që kanë ndjekur nga afër procesin zgjedhor për gadishmërinë, profesionalizmin dhe objektivitetin e treguar;
  7. Të gjithë administratorët zgjedhorë në të gjitha nivelet dhe kategoritë për punën e palodhur për realizimin me sukses të të gjithë procesit zgjedhor.
Së fundmi, shpreh bindjen se është koha që të gjithë të besojnë se Shqipëria zhvillon procese zgjedhore të standarteve të larta demokratike.

 

KRYETARI

Arben RISTANI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve