DEKLARATË PËR SHTYP
[Tiranë, më 26-12-2006]
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me vendimin nr.129 dt.08.12.2006
ka vendosur “Detyrimin e Drejtorisë së Përgjithshme
të Gjendjes Civile dhe Kryetarëve të Njësive
të Qeverisjes Vendore të dërgojnë, përditësojnë,
miratojnë dhe shpallin listën e zgjedhësve për
zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës
20.01.2007, sipas afateve të sanksionuara në nenin
60/1 të ligjit nr.9087 dt.19.06.2003 “Kodi Zgjedhor
i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”,
dhe me vendimin nr.130 dt.08.12.2006 ka vendosur “Kryetarët
e Njësive të Qeverisjes Vendore të dërgojnë
në KQZ, jo më vonë se data 26 Dhjetor 2006, të
dhënat për numrin total të qendrave të votimit,
vendndodhjen e çdo qendre votimit së bashku me numrin
përkatës të zgjedhëesve në listën
përfundimtare”.
Pikërisht sot, më dt. 26.12. 2006, është
afati i fundit për dërgimin e informacionit në
KQZ, informacion ky i domosdoshëm për përmbylljen
e operacioneve zgjedhore. Rezulton se drejtuesit e pushtetit
vendor nuk i kanë zbatuar këto vendime dhe veçanërisht
Vendimin nr.130, për dërgimin e informacionit në
KQZ, i cili është edhe një detyrim i drejtëpërdrejtë.
Nga 384 njësi vendore rreth 15 të tilla i janë
përgjigjur negativisht Komisionit për të zbatuar
vendimet e tij, ndërkohë që ka njësi që
po dërgojnë informacion, ndërsa mjaft të
tjera nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
U bëj thirrje drejtuesve të pushtetit vendor të
zbatojnë vendimet e KQZ-së dhe të sjellin informacionin
e kërkuar, në të kundërt KQZ ka kompetencën
dhe detyrimin të marrë masa administrative konform
nenit 178 dhe 179 të Kodit Zgjedhor, madje të denoncojë
për ndjekje penale këta drejtues.
Gjithashtu u bëj thirrje partive që kanë detyrimin
të paraqesin komisionerë për KZQV-të, të
plotësojnë detyrimet e tyre në të kundërt
do t'i kërkoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve marrjen
e masave administrative. Edhe një herë theksoj faktin
se KQZ ka impenjimin e plotë për të organizuar
zgjedhjet më dt. 20 Janar, si një detyrim kushtetues
dhe ligjor i yni.
ÇLIRIM GJATA
_________________
KRYETAR
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
DEKLARATË PËR SHTYP
[Tiranë, më 20.12.2006]
Sot përfundon afati për paraqitjen e dokumentacionit
nga kandidatët për kryetar bashkie ose komune, si
dhe i listave për këshillat respektivë për
zgjedhjet për organet e pushtetit vendor.
Me shumë shqetësim vihet re se shumë kandidatë,
si ata të mbështetur nga partitë ashtu dhe të
pavarur, por edhe vetë partitë nuk arrijnë të
regjistrohen për shkak të mos ngritjes së KZQV-ve.
Shkak për këtë është mosparaqitja nga
ana e një pjese të partive parlamentare e propozimeve
në KQZ, për emërimin e anëtarve të
KZQV-ve. Ky qëndrim bllokon procesin duke penguar subjektet
në garë dhe duke cënuar të drejtën
e qytetarëve për të votuar.
Prej kohësh KQZ u kishte bërë thirrje forcave
politike që kanë detyrimin kushtetues e ligjor për
të paraqitur propozimet e tyre për ngritjen e KZQV-ve,
por dhe në këtë moment një pjesë e
subjekteve politikë paralamentarë që kanë
këtë të drejtë dhe detyrim, nuk kanë
ndërmarrë asnjë veprim.
Një fakt i tillë, si dhe mos deklarimi nga njesitë
vendore i numrit të votuesve dhe numrit të qendrave
të votimit, kanë qenë një pengesë serioze
në punën e Komisionit, i cili edhe pse në kushtet
e një situate të paprecedentë është
përpjekur maksimalisht të relaizojë detyrimet
e tij kushtetuese e ligjore.
Por ajo që dua të ngre në vëmendjen e të
gjithë faktorëve dhe të opinionit publik është
fakti se mos ngritja e KZQV-ve nuk ka qenë një pengesë
serioze vetëm në punën e Komisionit.
Është në rradhë të parë një
pengesë për të gjithë ata individë
apo subjekte politikë që dëshironin të merrnin
pjesë në këtë garë. Janë rreth
40 subjekte politikë parlamentarë dhe jo parlamentarë
apo edhe te pavarur, të cilët në këtë
çast janë të përjashtuar "a priori"
nga e drejta për të marrë pjesë në
votime pasi nuk ishte e mundur ngritja pikërisht e komisioneve
të niveleve të dyta, pranë të cilave ata
mund të regjistroheshin.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Mosngritja e KZQV-ve është një goditje e fortë
që i jepet procesit zgjedhor në tërësi në
Shqipëri. Është një shkleje e rëndë
që cënon vullnetin e qyetarëve për të
marrë pjesë në votime, për të ushtruar
të drejtën e votës. Duke cënuar pikërisht
këto të drejta, në thelb, qëndrime të
tilla godasin rëndë demokracinë në vend,
Kushtetutën dhe detyrimet ligjore që burojnë
prej saj dhe, duke patur parasysh fazën në të
cilën ndodhemi, goditet rëndë dhe imazhi i Shqipërisë,
në përpjekjet e saj për integrimin euroatlantik.
Çfardo justifikimi apo pretendimi është totalisht
minor para këtij fakti kokfortë, i cili krijon një
precedent shumë të rëndë në konsolidimin
e demokracisë. Zhvillimet demokratike në vend, në
asnjë mënyrë nuk mund të vijnë duke
cënuar Kushtetutën, ligjin, Kodin Zgjedhor apo dhe
të bëhen peng e trilleve apo lojrave politike.
Pavarësisht të gjitha fakteve të përmendura
më lejoni të konfirmoj faktin se KQZ do të vazhdojë
punën me rigorozitet, me shumë përgjegjësi,
konform të gjitha detyrimeve kushtetuese dhe ligjore që
ka per organizimin e procesit.
Edhe pse situata mund të duket paradoksale, më duhet
të pohoj se Komisioni ka një datë për mbajtjen
e zgjedhjeve të dekretuar nga Presidenti i Republikës
dhe do të bëjë gjithçka varet prej tij
për të përmbushur këtë detyrim kushtetues
e ligjor.
ÇLIRIM GJATA
_________________
KRYETAR
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
DEKLARATË PËR SHTYP
[Tiranë, më 03.12.2006]
Vetëm një ditë më parë
Presidenti e Republikës dekretoi datën e Zgjedhjeve
për Organet e Qeverisjes Vendore. Edhe pse i ndodhur para
një rasti tepër të veçantë, me hije
të forta dyshimi në lidhje me faktin se a do të
zhvilloheshin zgjedhjet në afatin e tyre ligjor, Komisioni
Qendor i Zgjedhjeve ka vazhduar punën normalisht. Duke
patur si pikë të vetme referimi, Kushtetutën,
Kodin Zgjedhor dhe ligjet e tjera që lidhen me to, janë
ndërmarrë të gjitha hapat për përgatijen
e zhvillimit normal të Zgjedhjeve Vendore. Tregues më
i mirë i këtij fakti janë një numër
prej rreth 50 aktesh, vendime dhe udhëzime të miratuara
nga Komisioni gjatë gjithë kësaj periudhe. Më
lejoni të deklaroj publikisht, se këto akte janë
miratuar në respektim rigoroz të afateve të përcaktuara
në Kodin Zgjedhor, ku si më kryesorët do të
veçoja:
• Vendim për miratimin e buxhetit
për zgjedhjet vendore
• Vendim për caktimin e partive që kanë
të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë
të komisioneve zgjedhore për qeverisjesn vendore (KZQV)
• Vendim për caktimin e procedurës së shortit
dhe shpalljen e rezultatit të shortit për anëtarin
e shtatë të KZQV
• Vendim për miratimin e modeleve që përdoren
nga kandidatët për kryetar bashkie apo komune në
procesin e regjistrimit të tyre në KZQV
• Vendime për miratimin e modeleve që standartizojnë
punën e KZQV-ve dhe KQV-ve në një proces zgjedhor
• Vendim për miratimin e Strategjisë të
KQZ për Marrëdhëniet me Publikun, në kuadër
të edukimit zgjedhor të shtetasve në Zgjedhjet
për Organet e Qeverisjes Vendore
• Vendime që kanë të bëjnë me
logjistikën zgjedhore, ku përfshihen: modeli kutisë
së votimit, modeli i dhomës së fshehtësisë,
modelet e vulave që përdoren nga komisionet zgjedhore
• Miratimi i projekteve të trajnimit të KZQV-ve
dhe KQV-ve dhe përgatitja e infrastrukturës logjistike
për zhvillimin e tyre
• Miratimi i Manualit të Trajnimit të KZQV-ve
(Pjesa e parë)
• Udhëzim për organizimin dhe funksionimin e
KZQV-së
• Udhëzim për detyrat e policisë së
shtetit dhe forcave të ushtrisë gjatë procesit
zgjedhor
• Udhëzim për funksionimin e zyrave rajonale
zgjedhore
• Udhëzim për procedurat e akreditimit të
vëzhguesve, etj.
Gjithashtu është nënshkruar
Memorandumi i Bashkëpunimit me Këshillin e Ministrave,
si dhe Marrëveshja ndërinstitucionale e bashkëpunimit
me Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit
lidhur me monitorimin e fushatës zgjedhore.
Dua të shtoj se është standardizuar i tërë
dokumentacioni që do të përdorin Komisionet e
niveleve më të ulta zgjedhore në mënyrë
që puna e tyre të jete sa më e thjeshtë.
Gjithashtu, është në përfundim e sipër
prodhimi dhe përpunimi i bazës materiale zgjedhore.
Vlen të nënvizoj faktin se bashkëpunimi
me faktorin ndërkombëtar që vepron në Shqipëri,
në veçanti prezencen e OSBE-së në Tiranë,
si dhe Zyrën e USAID-it, ka qenë në parametra
maksimalë dhe tepër frytdhënës. Mbetemi
gjithmonë në gadishmëri për vazhdimin dhe
thellimin e mëtejshëm të tij.
Pa dashur aspak të anashkaloj situatën
tashmë të njohur është e nevojëshme
të theksoj se Komisioni Qendor i Zgjedhjeve nuk ka patur
gjatë kësaj periudhe bashkëpunimin e nevojshëm
me faktorin politik. Reforma e vonuar, rekomanduar nga OSBE
– ODIHR dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë,
ka qenë një nga pengesat me seioze në punën
tonë, por jo e vetmja. Pengesa të tjera që vonojnë
apo rrezikojnë mosplotësimin e disa prej standardeve
janë:
• Vonesa në ngritjen e Komisioneve
të Zgjedhjeve për Qeverisjen Vendore (KZQV)
• Regjistrimi i partive apo dhe koalicioneve ne Komisionin
Qendror te Zgjedhjeve, si kusht per te vazhduar regjistrimin
ne njesite vendore te kandidateve dhe listave shumemerore.
• Afati për regjistrimin e kandidatëve
dhe të listave shumemërore për anëtarë
të këshillave vendore
• Përcaktimi i vendeve të numërimit
të votave
• Ngritja e Komisioneve të Qendrave
të Votimit (KQV-ve)
• Marrja e informacionit nga njësitë
vendore në lidhje me numrin e zgjedhësve për
çdo qendër votimi dhe vendndodhjen e tyre, e lidhur
kjo drejtpëdrejtë me përgatitjen e bazës
materiale zgjedhore për çdo QV dhe sidomos me prodhimin
e flletëve të votimit.
• Organizimi i grupeve te numerimit ne
pershtatje me specifikat e zgjedhjeve vendore. Numërimi
i votave dhe respektimi i afatit ligjor për përfundimin
e numërimit dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve,
veçanërisht në bashkitë e mëdha.
• Mbi të gjitha bashkëpunimi
dhe vullneti i partive politike për të kontribuar
maksimalisht në zhvillimin e një procesi zgjedhor
të rregullt, ligjor dhe brenda standardeve të njohura
ndërkombëtare, të cilat aspirojmë të
gjithë të prekim maksimalisht.
Pavarësisht të gjitha shqetësimeve që përmenda
pak më sipër dua të shpreh vullnetin e plotë
të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zbatimin
e të gjithë parametrave të nevojshëm, në
organizimin dhe zhvillimin procesit zgjedhor, brenda të
gjitha normave dhe akteve ligjore në fuqi. Përfitoj
nga rasti për t’u bërë dhe njëherë
apel të gjitha forcave politike për të bashkëpunuar
ngushtë me Komisionin në këtë periudhë
kohore të mbetur deri në datën e zgjedhjeve,
pasi arritja e standardeve në këto zgjedhje është
një sfidë e Shqipërisë dhe qyetetarëve
të saj, dhe jo vetëm e Komisionit apo faktorit politik.
Çdo hap pozitiv i hedhur në procesin zgjedhor është
një hap më pranë integrimit europian të
vendit.
ÇLIRIM GJATA
_________________
KRYETAR
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
|